Kryeredaktor: Roland Sejko
“Bota
Shqiptare”, Roma, VIII (2006), n. 147, 9-22
Mars, f. 17
Dr. Giovanni Armillotta, PhD
Xhorxhi
Vasili: basketboll dhe volejboll
Deri nga vitet Shtatëdhjetë të shekullit të kaluar,
vetëm sporti shqiptar nuk kishte vepra që të tregonin historinë e tij, histori
që gjatë asaj kohe përmblidhej vetëm në faqet e gazetave të cilat, periodikisht
regjistronin faktet e ndryshme sportive pa ndonjë renditje analitike përveç
asaj kohore. Nuk ekzistonin libra që të rrëfenin ecurinë e çdo sporti në rang
kombëtar dhe ndërkombëtar
Eseja shqiptare
ka tradita ta hershme dhe të shquara: nga historia te politika; nga ideologjia
te besimet fetare; nga ekonomia te sociologjia; nga letërsia te muzika; nga
glotologjia te bujqësia; nga shkencat fizike e matematike te ato biologjike;
e kështu me radhë në fusha nga më të ndryshme të dijes.
Deri nga vitet Shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, vetëm sporti shqiptar nuk
kishte vepra që të tregonin historinë e tij, histori që gjatë asaj kohe përmblidhej
vetëm në faqet e të përditshmeve (“Bashkimi”) apo të të përjavshmeve
(“Sporti popullor” dhe gazetat e rretheve), të cilat, periodikisht
regjistronin faktet e ndryshme sportive pa ndonjë renditje analitike përveç
asaj kohore. Nuk ekzistonin libra që të rrëfenin ecurinë e çdo sporti në rang
kombëtar dhe ndërkombëtar. Por në vitin 1980 dolën dy vëllime: një i Skifter
Këlliçit (Historia e futbollit) e tjetri i Teodor Siliqit (Fitoret
tona me shahistët e 5 kontinenteve) që i hapën rrugën kësaj gjinie letrare-
publicistike. Një vit më pas ishte radha e librit Sporti ynë i Besnik
Dizdarit, Ismet Bellovës dhe Osman Palushit.
Mesa di unë, nuk kishte tituj të tjerë. Më parë historia statistikore e futbollit
i ishte besuar në faqet e gazetave ekspertëve si Ymer Striniqi, Gogo Çomora
e të tjerë, që do të më falin por në këtë çast nuk ua kujtoj emrat.
Nga ajo kohë e deri më sot ka patur shumë e shumë botime. Besnik Dizdari, Dekan
i Jurisë Ndërkombëtare të “France Football” që i jep Ballon
d’Or (Topin e Artë) futbollistit më të mirë europian të vitit, po kryen
punën madhështore të shkrimit dhe rindërtimit të historisë së padëgjuar të futbollit
shqiptar. Ai ka zbuluar edicionin e parë të Kupës së Shqipërisë (1938- 39),
kampionatet kombëtare gjatë luftës (1939 dhe 1940) si dhe kampionatin “mbarëkombëtar”
(1942 me skuadra të Kosovës); deri në vitin 2005 ai ka shkruar plot 14 libra!
Por, megjithë të rejat e panumërta editoriale të 25 vjetëve të fundit mungojnë
libra:
1. mbi historinë e ngritjes së peshave, sport që ka dhënë një kampion bote ne 1972-shin, një vend të tretë në Kampionatin Europian të Kombëtareve në maj 1990, dhe një vend të dytë në Kupën e Europës në dhjetor 1990 mes gjashtë përfaqësive kombëtare më të mira, shumë e shumë medalje të arta dhe tituj në Kampionatet Ballkanike, për të rinj e të rritur; për të mos folur për peshëngritësit shqiptarë “të transformuar” në grekë: Pirro Dhima, Luan Shabani etj., që i kanë dhuruar Greqisë medalje të arta olimpike, botërore dhe europiane, të bazuara në shkollën shqiptare të peshëngritjes;
2. mbi historinë e qitjes, që ka shumë medalje të arta, të argjendta dhe të bronxta në Kampionatet Europiane dhe akoma më shumë në garat Ballkanike;
3. mbi historinë e volejbollit, që numëron finale Kupash Europiane falë skuadrave të lavdishme të Dinamos, për meshkuj (Kupa e Kampioneve 1972) dhe femra (Kupa e Kampioneve 1980, Kupa e Kupave 1987, medalja e bronztë në Kupën e Kampioneve 1990).
Por në shtator
2003 një ngjarje e madhe: doli vëllimi i parë i Me basketbollin nëpër vite
(1919-1965) i Xhorxhi Vasilit, Gavrosh Kavajës dhe Spiro Kuvaratit, dhe në shtator
të vitit të shkuar vëllimi i dytë: 1966- 1982. Ndërsa Xhorxhi Vasili ka nxjerrë
librin e tij të parë në gusht 2000, Kur luante Butrinti, kushtuar volejbollit.
Dhe mbi këta tre libra dua të ndalem.
Tre autorët, padyshim, nuk kanë nevojë për fjalët e mia për të kuptuar mundimin
e tyre të madh, në radhë të parë në kërkimin dhe mbledhjen e materialit dhe
më pas në shkrimin e dy vëllimeve për basketbollin që janë gurë themeltarë në
historinë e bibliografisë sportive shqiptare.
Ata kanë patur hartues të parathënies të kalibrit të Besnik Dizdarit dhe Astrit
Grevës - trajner i pakrahasuesësh i Partizanit të shkëlqyer të njëherë e një
kohe, që ka ndalur dhe kaluar çdo kundërshtar europian. Ata, që janë njohës
të thellë të Sportit Shqiptar, kanë ditur të analizojnë cilësinë e lartë të
këtyre tre librave.
Nuk dua të bëj asnjë lloj krahasimi apo renditjeje mes dy vëllimeve mbi basketbollin
dhe librin mbi volejbollin, kanë të bëjnë me dy mënyra të ndryshme të të kuptuarit
dhe praktikimit të lojërave me dorë.
Kështu, vizioni i vetëm një Klubi (Butrintit) nuk është më pak i rëndësishëm
se tërësia e paraqitur nga projekti i ilustrimit të të gjithë basketbollit të
Shqipërisë. Dhe historia e të gjithë basketbollit shqiptar, padyshim, nuk është
shuma aritmetike e çdo aspekti lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, por një sintezë
e përkryer e gjithëpërmbledhëse e këtyre aspekteve.
Por meritat nuk janë vetëm këto, këta libra përmbajnë nocionet e domosdoshme
dhe parimet bazë për kuptimin e dy disiplinave sportive.
Te të tre autorët, ashtu si edhe të Dizdari, ajo që vlerësohet qoftë me shikimin
e parë, qoftë me analizën e mëpasshme, është aftësia e tyre letrare dhe statistikore.
Si lexuesi e zjarrtë i romaneve ashtu edhe i apasionuari pas historisë në shifra,
gjejnë në të tre librat atë që kërkojnë. Lexuesi i parë urren shifrat por është
i dashuruar pas një shkrimi të bukur dhe kënaqet me leximin e librave, ndërsa
dihet që, ata që pëlqejnë numrat shijojnë më mirë çka është shkruar me mjeshtëri
shkrimtari.
Unë jam italian dhe ju siguroj, të dashur lexues të “Botës shqiptare”,
që në Itali kur është fjala për shkrime esesh mbi sportin, ose shkruhet vepër
e pastër letrare e padobishme ( të gjithë e dinë veten Gianni Brera) duke mos
treguar kujdesin e duhur për faktet, ose të bombardojnë me “shifra të ftohtë”,
duke e bërë tekstin të thatë ose maksimumi, një mjet të thjeshtë konsultimi,
njësoj si të ishte një fjalor.
Është e vërtetë, në gjithë botën, është vështirë të gjesh libra mbi sportin
që të vënë bashkë artin dhe kërkimin: por them me bindje që Vasili, Kavaja dhe
Kuvarati ia kanë dalë mbanë në mënyrë të shkëlqyer. Çdo sportist apo sportdashës
shqiptar duhet të bëjë çmos për përhapjen e tri veprave kushtuar volejbollit
e basketbollit.
Mbetemi të gjithë në pritje të vëllimit të tretë mbi basketbollin (1983-2005).
Bibliografia:
Xhorxhi Vasili, Kur luante Butrinti, Milosao, Sarandë, 2000, ff. 159
Xhorxhi Vasili-Gavrosh Kavaja- Spiro Kuvarati, Me basketbollin nëpër vite.
Libri i parë: 1919-1965. Historia e basketbollit shqiptar të meshkujve,
Milosao, Sarandë, 2003, ff. 244
Xhorxhi Vasili-Gavrosh Kavaja- Spiro Kuvarati, Me basketbollin nëpër vite.
Libri i dytë: 1966-1982. Historia e basketbollit shqiptar të meshkujve,
Milosao, Sarandë, 2005, ff. 309
© Giovanni Armillotta, 2006