New York, 15-18 tetor 1999

Giovanni Armillotta - Gazetar
ITALIANËT MBI ÇËSHTJET SHQIPTARE
Shumë shqiptarë janë në dijeni të cektësisë të gazetarisë tonë italiane

Traduzione in italiano

Hyrje

Në vjeshtën e vitit 1997 u publikua numri i parë i një periodiku të ri në Universitetin Columbia të New York-ut, «The International Journal of Albanian Studies», drejtuar nga shqiptari Shinasi A. Rama dhe e përbërë nga bashkëpunëtorë kryesisht shqiptarë dhe nga vende të tjera. Artikulli i drejtuesit Tranzicioni, fragmentarizimi i elitës dhe zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit 1997 paraqet publikimin më me vlerë rreth ngjarjeve tragjike të cilat që nga janari i 1997 e kanë nxjerre Shqipërinë në krye të kronikave, një kontribut që ndihmon për të kuptuar dhe përmbledhur në thellësi kontradiktat që vlojnë në shoqërinë qytetare të këtij vendi të lavdishëm ballkanik.
Unë nuk pretendoj në parim të kem lexuar të gjithë publicistikën ndërkombëtare lidhur me këtë argument, por për sa i përket publiçistikës italiane – të një vendi tradicionalisht të ndjeshëm ndaj fqinjit ballkanik – ajo ka paraqitur sipas mendimit tim, pak firma të besueshme dhe me autoritet mbi problemet e brëndshme shqiptare. I përmbahem mendimit se këto meritojnë konsideratën e shqiptarëve për impenjimin e tyre dhe për traditën albanologjike të vendit që përfaqësojnë. I referohem Luciano Canforas, Federico Eichbergut, Constantino Marcos, Elio Miraccos, Indro Montanellit, Emmanuela C. del Re dhe Alessandro Sfrecolas, të vetmit që individualizuan temat pa sugjerime, kufizime, kushtëzime dhe çfarë është më thelbësore, të zhveshur nga një lloj shpirti të pranishëm tek shumë të tjerë, të cilët qëndrojnë mes racizmit dhe pasionit që kanë shoqëruar në masën më të madhe injorancën absolute në vendin tonë për episodet e rënda që ndodhën që nga fundi i verës 1997 dhe në luftën më të fundit midis NATOs dhe Serbisë. Në televizionin italian janë dëgjuar shprehje të tipit "shqiptarët janë të paqytetëruar", "shqiptarët janë kafshë të egra", "shqiptarët janë sllavë", "shqipja është një dialekt grek", "shqiptarët kanë kultin e dhunës", "serbët (e veriut) janë nordikë ndërsa shqiptarët (e jugut) janë jugore (në italisht kjo fjalë sudici ka edhe kuptimin të ndyrë, të pistë,të ulët)", "Igumenica është port shqiptar". Nga ana tjetër njerëz të ish-nomenklaturës qeveritare të viteve 1994-96, janë dëgjuar të deklarojnë se "shqiptarët janë filo-sovjetikë, por u desh Gorbaçovi që t’u ndërronte mëndjen për të urdhëruar rrëzimin e statujave të Brezhnjevit (!!!)". Kemi lexuar dhe dëgjuar nga pak prej të gjithave si "shqiptarët janë injorantë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk di as të shkruajë dhe as të lexojë", "alfabeti i tyre përbëhet nga pothuajse 20 germa", "arbërishtja është një dialekt i Kalabrisë", "Kongresi i Manastirit themeloi një parti politike", "shqiptarëve nuk u pëlqen të punojnë", "shqiptarët janë një racë inferiore", "shqiptarët kanë provokuar luftën e parë botërore dhe atë të Bosnies", "shqiptarët janë integralistë islamikë", e tjerë e tjerë. Prifti katolik Prof. Gianfranco Ravasi literalisht është skandalizuar kur një gazetar i superpaguar i radiotelevizionit gjatë luftës së NATO kundër Serbisë ka ngatërruar "pa iu dridhur qerpiku lumin Drina që rrjedh në Bosnje me lumin Drin që në të vërtetë përshkon Kosovën" (Dossier Balcani, «Il Sole-24 Ore», Milano, 25 prill 1999). Por vlerësimi më i keq për shqiptarët lexohet në një artikull qe nban firmën e Giorgio Torellit Shqipëria, toka e te panjohurave më tepër se e shqipeve, botuar në «Il Giornale» te Milanos me 22 prill 1997. Ai shkruan "Shqipëria qoftë tokë e shqipeve, siç i thonë, por ama mbetet një nga vendet më të papërshtatshëm ku të shartosh qytetërimin, duke mundësuar vënjen në funksionim të një lloj ecurie politike pa të shara. [...] në avanpostin më të kërkuar, ku gjithçka është uri, fatkeqësi, pakënaqësi, lotë dhe zemërim" ... Problemi nuk qëndron tek keqinformimi i atij që përhap, ose që e bën të përhapen këto absurditete (injoranca dhe hipokrizia e këtyre njerëzve është një problem personal i tyrja), por tek qindra mijra italianë që kanë dëshirë të dinë dhe dëgjojnë në mirëbesim, duke menduar se dëgjojne të vërtetën! E në se të gjitha këto pasaktësi vijnë nga Italia, një shtet që duhet t’a njohë mirë Shqipërinë, çfarë mund të lexohet në vendet e tjera? Apo këto çështje janë kaq absurde sa të jenë të pakapërcyeshme? E përsëris, kam lexuar në mënyrë të pamjaftueshme shtypin jo italian mbi këtë argument, por me qënëse jetoj ne Itali më ka mjaftuar për t’u indinjuar dhe është e turpshme kur mendon se shumë shqiptarë përtej Adriatikut janë në dijeni të kësaj cekësie të shtypit që ka ardhur përmes televizionit dhe gazetarisë italiane. I njëjti shtyp dhe televizion është stigmatizuar me të drejtë nga ish-ambasadori italian në Tiranë, Paolo Foresti, dhe nga ish-ambasadori në Moskë, historiani dhe gazetari me autoritet Sergio Romano në lidhje me pasaktësine e njohurive historike, politike dhe diplomatike në vendin tonë dhe me cektësine e informimit që sundon në mes të mbajtësve të njohurive të shkruara dhe të televizionit. Për pasojë një pjesë e shtypit, në përpjekje për të "rimarrë veten" ka pasur guximin të stigmatizojë sjelljen e qeverisë italiane në figurën e Presidentit të atëhershëm të Këshillit të Ministrave, të nderuarit Romano Prodi dhe e tërë ministrave të tij, të cilët kanë bërë të pamundurën për kurorëzimin me sukses të operacionit të paqes Alba (Agimi), dhe më vonë të forcës mbrojtëse shumëkombëshe (Forza Multinazionale di Protezione), dhe sot të misionit Arcobaleno (Ylberi), dhe të forcimit të miqësisë ndërmjet italianëve dhe shqiptarëve. Të pakët kanë qënë ata në gjendje te dalin me analiza shkencore mbi kontradiktat shqiptare. Dikush në Itali ka rrezikuar të dalë me teza të ndrojtura pro-shqiptare, ndoshta i shtyrë nga një simpati pa rezerva, nga një ndjenjë solidariteti për një popull të shtypur për rreth gjysëm shekulli nga diktatura komuniste. Por edhe në ketë rast vlerësimi i lustruar dhe mëshirues i të sipërpërmendurve është ngritur mjeshtërisht mbi vizionin shkollaresk ose thjesht dijetarogazetaresk si dhe është i sinqertë ose synon kushedi çfarë qëllimesh. Mbi të ashtuquajturen papjekuri të popullit shqiptar (mbrojtur në pjesën më të madhe nga e majta), është e qartë se asnjë i ashtuquajtur "ekspert" nuk ka nënvizuar që shqiptarët nuk jane ndarë kurrë mbi baza fetare ose rajonale, për të ushqyer arsye për përplasje. Ajo ka pasur si synim të hedhë poshtë një nga vendet më të lashta të drejtësisë shoqërore: që shqiptarët janë fise të çimentuara nga urrejta reciproke e provokuar nga feja. Ky pranim do të sillte vetëdiskretitimin e plotë të të ashtuquajturve "ekspertë".
 

Sali Berisha

Një shënjestër tjeter e së majtës italiane ka qënë presidenti Berisha. Që Berisha ka drejtuar me dorë të forte tranzicionin shqiptar, përmes gabimeve dhe intuitës së shkëlqyer politike, është më se e qartë, por këta pak miq të Shqipërisë në publiçistikën dhe gazetarinë italiane kanë stigmatizuar në ekstrem sjelljen e qarqeve të caktuara perëndimore, të cilët pasi kanë shkuar larg kanë bërë bisht ne mbështetjen e tyre, për t’a braktisur më pastaj Berishën, në fatin e tij. Ështe me vend të thuhet qe Berisha, i cili ka hapur një faqe të re në marrëdhënjet ndërkombëtare të shqiptarëve gjatë viteve 1992-1997, dhe krahasuar me pararendësit e tij dinakë, ka ditur të ndërmjetësojë më së miri diasporën shqiptare në Ballkan, dhe të frenojë nga pozita e Presidentit të Republikës shtytjet për shkëputje qe vinin nga Kosova dhe Maqedonia, duke garantuar kështu së paku paqen nga elementi shqiptar, sidomos në se reflektojmë në një mënyrë më këmbëngulëse faktin që Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kishin një gadishull më të qetë, dhe nuk është e sigurtë në se ata kishin nevojë për te lëshuar tigrin e nacionalizmit për të qëndruar në pushtet. Qendrimi pacifik i Berishës ka përforcuar në qeveritë që vijuan ndjenjën civilizuese të shqiptarëve pranë opinionit publik ndërkombëtar. Në fakt gjatë luftave ballkanike të viteve ’90, vetë Shqipëria nuk i ka ngritur pushkët kundër popujve të tjerë, pavarësisht nga provokacionet serbe në kufinjtë e saj gjatë konfliktit të fundit. Durimi i shqiptarëve nuk ka kufinj.
 

Pluralizmi shqiptar përballë monoli-tizmit demokratik të Evropes lindore

Trazirat e vitit 1997 janë shfrytëzuar dhe ekzagjeruar në ekstrem nga një grup i caktuar i shtypit të majtë italian, po ashtu si edhe nga televizioni, si dhe nga partitë deri më 29 qershor të vitit 1997 dhe më pas. Nuk është theksuar se renja e regjimeve komuniste në Lindje nuk ka provokuar, ashtu siç ndodhi në Shqipëri me pluralizmin e mendimeve, një formacion partish me pozicione ideologjike te ndjeshme dhe kundërshti të theksuar. Shembulli i proliferimit polak mbetet emblematik. Atje lëvizjet përfaqësojnë pothuajse interesat e çastit në nivelin e oportunizmit të opinioneve dhe atij komer-cial (shumë i ngjashem me rastin e "milionarizimit" bullgar), dhe Solidarnosti pasi kishte kalëruar mbi tigrin fitimtar të opozitës katolike, kaloi në krizë, dhe vetëm sot po rimerr vlerat e para të saj. Në realitetet e tjera politike, partishmëria është shfaqur ose në formën e separatizmit etnik (shihni ish-Jugosllavinë, ish-Çekosllovakinë, ish-Bashkimin Sovjetik, e pastaj Bosnjen e së fundi Kosovën), ose i ka dhënë jetë organizatave të strukturave dhe të kontrolluara nga partite komuniste, që praktikisht nuk kanë rivalë (Sllovenia, Kroacia, Serbia, e për një periudhë Rumania, Hungaria dhe vendet balltike).
Reflektimi mbi partitë shqiptare duhet të përbëjë një instrument të shkalles parësore për ata që duan t’i përkushtohen një pune serioze mbi rrymat politike të mbarë Evropës.
Sot, megjithatë, edhe votat e mara nga institucioni monarkik në referendumin e fundit institucional, janë nje shembull më tepër për të dëshmuar se tek qytetari shqiptar nuk ka më vend për dogma ose lidhje me marksizëm-leninizmin ose edhe me "kapitalizmin e mrekullive" (shihni skemat piramidale), por për riafirmimin e vlerave patriotike, dhe shpresën për të krijuar një jetë më të mirë dhe më të begatë, të pastruar nga entuziazmi i rrezikshëm dhe kalimeve të befta në periudha të errëta. Lindja dhe konsolidimi i partive të reja dhe i një opozite demokratike dëshmojnë qartazi se çfarë vlere mund të përmbajë kursi i ri, në të njëtën kohë kur si pikë referimi merret Evropa dhe lidhjet e saj mijra vjeçare me Vendin e Shqipeve. Karakterin origjinal politik të shqiptarëve e konstatojmë në partitë e tyre politike. Shpirti me të cilin zgjedhësit kanë hedhur votat gjate të gjitha zgjedhjeve dëshmon se sa vullnet për të punuar dhe përparuar është strehuar në shpirtin e qytetarëve, të cilët besojnë në demokracinë dhe në instrumentet e saj, pavarësisht nga shpirti ekstremist për ndarje që ka dalluar historinë e Shqipërisë. Është mjaft domethënëse që përpjekjet e para për koalicion, për marrëveshje edhe mes pozicioneve politike të largëta interpretohen si një hap perpara në bashkimin mes elitës politike dhe popullit, dhe kjo do të përbëjë bazën e përparimit të vërtetë ekonomik e financiar. Por për të gjitha këto çështja bëhet çmos qe të mos shkruhet në shtypin italian.

(Autori është kryeredaktor i revistës «Africana» e cila në këshillin e saj botues ka analistë nga të gjithë Universitetet e Italise).

Traduzione in italiano

Index

© Giovanni Armillotta, 1999